Kosova pranohet zyrtarisht si anëtare e EPEC
Që nga 19 nëntor, 2012, Republika e Kosovës nëpërmes Departamentit Qendror për Partneritet Publiko Privat (PPP) pranë MF, është pranuar zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Qendrën Evropiane për Ekspertizë në Partneritete Publiko Private (EPEC).
EPEC është themeluar nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Komisioni Evropian më 16 shtator 2008. Qëllimi kryesor i kësaj Qendre është ngritja e kapaciteteve organizative në sektorin publik në mënyrë që të lehtësojnë punët e Departamenteve të PPP-së në implementimin e projekteve të kësaj natyre. Deri më tani EPEC ka 37 anëtarë, përfshirë këtu EIB dhe Komisionin Evropian. Të gjithë anëtarët tjerë janë autoritetet të ndryshme qendrore përgjegjëse për fushën e PPP-ve në shtetet përkatëse. Anëtarësimi është i kufizuar për autoritetet publike të PPP-ve në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet kandidate dhe vendet e tjera të Evropës.
Si anëtare e plotë Departamenti Qendror PPP-së do të mund të kontribuoj në grupet punuese të EPEC, si dhe të bashkëpunoj më ngushtë me shtetet tjera anëtare të cilat kanë eksperience në PPP për më shumë se 30 vite, në sektorë të ndryshëm të ofrimit të shërbimeve dhe infrastrukturës publike përmes sektorit privat.
Pranimi i Departamentit Qendror për PPP në EPEC është rezultati i përparimit të arritur nga Republika e Kosovës në zhvillimin e kornizës institucionale dhe ligjore të Partneritetit Publiko Privat, që është në përputhje me standardet dhe politikat e BE-së për prokurim publik.
Veprimtaritë kryesore të EPEC-ut përfshijnë
· Punën bashkëpunuese
Nëpërmes grupeve punuese të anëtarëve të EPEC-ut, identifikohen praktikat më të mira në PPP dhe më pas shpërndahet tek anëtarët në mënyrë që të lehtësojnë zbatimin e politikave dhe programeve të PPP-ve;
· Helpdesku
Nëpërmes të cilës anëtarët mund të dërgojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të shpejta;
· Përforcimi Institucional
mbështetje në krijimin e politikave dhe programeve në fushën e PPP-ve. EPEC tashmë është duke punuar me anëtarë të caktuar për të përmirësuar strukturat e tyre të PPP-së si dhe për angazhimin më aktiv të tyre në kuadër të EPEC në të ardhmen.