Ligji mbi PPP shpallet me dekretin e Presidentit

Ligji Nr. 03/ L-090 "Ligji për partneritetet publiko-private dhe koncesionet në infrastrukturë dhe procedurat për dhënien e tyre" është shpallur me dekretin Nr. DL-017-2009, datë 15.07.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu.

I njejti ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës të Kosovës me datë 27 korrik 2009.

Ligji është i favorshëm për investitorët dhe do të krijojë një kuadër lehtësues si për qeverinë qendrore ashtu edhe për autoritetet komunale.


FUSHËVEPRIMI I LIGJIT:

 

Ligji është gjithëpërfshirës dhe adreson katër fusha kryesore:

 

1. Shtrirja dhe aplikimi – Ligji autorizon të gjithë sektorët që të shfrytëzojnë PPP-të, përveç nëse kjo ndryshe përjashtohet në mënyrë specifike me ligj. Qartëson gjithashtu çfarë nënkuptohet me PPP, identifikon autoritetin kontraktues, përcakton kohëzgjatjen e kontratës, etj.

 

2. Koordinimi institucional – Ligji në fjalë krijon edhe dy organe kompetente përbrenda administratës publike:
 

Komisionin Drejtues Ndër-Ministror (KDNM – PPP); dhe
Njësinë e Centralizuar të PPP - Partneritetet Kosova.
 

KDNM PPP e përbërë nga 3 ministra dhe një përfaqësues të emëruar nga kryeministri, e kryesuar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, themelohet për kontrollimin dhe koordinimin e Projekteve të PPP në të gjithë sektorët ekonomik dhe shoqëror.

 

3. Procedurat për dhënie të PPP-ve dhe koncesioneve – Procedurat për identifikimin e projekteve potenciale të PPP-së dhe për dhënien e tyre, përcaktohen në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare (dispozitat legjislative model të UNCITRAL-i, dhe EBRD-së, dhe me direktivat e BE-së lidhur me PPP-të dhe koncesionet).

 

4. Marrëveshja për PPP – Ligji rregullon përmbajtjen bazë të të gjitha marrëveshjeve të PPP-së dhe përcakton të drejtat dhe obligimet e përgjithshme të palëve. Ajo përcakton gjithashtu dispozitat e caktuara që janë relevante për investuesit, dmth., mekanizmat për zgjidhjen e kontesteve, modifikimet e kontratave, etj.

 

Dekretimi i këtij ligji dhe krijimi i këtyre dy organeve, vendosin kornizën institucionale dhe ligjore në mënyrë që të lejohen ministritë, komunat dhe organizatat e tjera buxhetore që të fillojnë me implementimin e PPP-së përgjatë shumë sektorëve.

Kthehu prapa