Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi ligjin mbi PPP
Prishtinë - 25 qershor 2009
Kuvendi i Kosovës miratoi sot Ligjin mbi Partneritetet Publiko Private dhe Koncesionet në Infrastrukturë dhe Procedurat për dhënien e tyre.
Në vazhdimësi të reformimit strukturor të ekonomisë, Partneritetet Publiko Private i ofrojnë Kosovës mundësinë për të modernizuar dhe zgjeruar infrastrukturën dhe shërbimet e saja publike dhe do të hapin derën për zhvillimin e saj të qëndrueshëm ekonomik duke lehtësuar kufizimet fiskale.
Partneritetet Publike Private si mjet modern i politikave do ti mundësojnë Qeverisë së Kosovës uljen e hendekut në mes të resurseve publike në dispozicion dhe kostos së infrastrukturës dhe shërbimeve publike të nevojshme. Brenda prizmit të opsioneve të PPP-së, ekziston një numër i pafund i strukturave potenciale të transaksionit të PPP-së si kontratat menaxhuese, koncesionet, skemat e ndërtim-operim-trasferimit, etj.
Aprovimi i këtij ligji, përmës infuzionit të kapitalit dhe ekspertizes menaxheriale nga ana e sektorit privat, do ti jap shtytje efikasitetit, duke e bërë Kosovën më konkurruese me vendet tjera në rajon.
Ligji mbi PPP-të është tërësisht në pajtim me dispozitat legjislative model të UNCITRAL-it dhe EBRD-së, dhe me direktivat e BE-së lidhur me PPP-të dhe koncesionet. Ligji është i favorshëm për investitorët dhe do të krijojë një kuadër lehtësues si për qeverinë qendrore ashtu edhe për autoritetet komunale.
Ligji në fjalë krijon edhe dy organe kompetente përbrenda administratës publike:
-
Komisionin Drejtues Ndër-Ministror (KDNM PPP); dhe
-
Njësinë e Centralizuar të PPP - Partneritetet Kosova.
KDNM PPP e përbërë nga 3 ministra dhe një përfaqësues të emëruar nga kryeministri, e kryesuar nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, themelohet për kontrollimin dhe koordinimin e Projekteve të PPP në të gjithë sektorët ekonomik dhe shoqëror.
Aprovimi i këtij ligji dhe krijimi i këtyre dy organeve, vendosin kornizën institucionale dhe ligjore në mënyrë që të lejohen ministritë, komunat dhe organizatat e tjera buxhetore që të fillojnë me implementimin e PPP-së përgjatë shumë sektorëve.
Duhet cekur se ky ligj nuk do të zbatohet për privatizimin ose heqjen e të drejtës së një infrastrukture publike ose ndërmarrje publike, e as për miniera, minerale, të drejta nëntokësore dhe për të drejtat e hapësirës ajrore.
Kthehu prapa