PPP në ANP - Shpallet Kërkesa Për Kualifikim
Pas hyrjës në fuqi të ligjit mbi Partneritetet Publiko Private dhe Koncesionet në Infrastrukturë dhe Procedurat për dhënien e tyre, u vendos korniza ligjore dhe institucionale për implementimin e projekteve të tilla përgjat shumë sektorëve.
Implementimi i projektit të parë të këtij lloji në Kosovë është Partneriteti Publiko Privat i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Me këtë rast, sot u shpall Kërkesa për Kualifikim me qëllim të operimit dhe zgjerimit të aeroportit.
Kërkesa për Kualifikim paraqet hapin e parë të procesit dyfazësh të prokurimit duke u bazuar në nenet 22 deri 26 të ligjit mbi PPP dhe Koncesione nr. 03/L-090.
Sipas orarit të përcaktuar nga ana e Komisionit Drejtues Ndërministror (KDN) të Projektit, dorëzimi i kualifikimeve do të behet në shtator, draft dokumentet e tranzaksionit do të jenë ne dispozicion për ofertuesit e kualifikuar në tetor, ndërsa afati për Kërkesat për Propozim do të jetë dhjetori i këtij viti.
Partneriteti Publiko Privat në ANP parashihet të jetë një marrëveshje 20 vjeçare e formës Dizajnim Ndërtim Financim Operim Transfer, dhe do të përfshinë ndërtimin e një ndërtese të terminalit të ri, tri herë më i madh sesa ekzistuesi, 25000 metra katrorë. Terminali i ri do të jetë simbol i së ardhmes së Kosovës dhe do ti bëjë krenarë qytetarët e Kosovës. Investime të tjera të kërkuara përfshijnë ndërtimin e një kulle të re të trafikut ajror dhe pajisjeve përcjellëse, platformë të re parkingu aeroplanësh që do të ofronte edhe 9 pozicione shtesë, uzinë për përpunimin e ujit, etj.
Me 12 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte marr vendim për implementimin e PPP-së në ANP me anë të vendimit nr. 05/68. Vendim ky që ishte marr nga rekomandimi i KDN-së i kryesuar nga Ministri i Transportit, z. Fatmir Limaj. Rekomandimi ishte bazuar në studimin e fizibilitetit të shkallës së investimeve, i kryer nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë të konzorciumit të kompanive amerikane dhe holandeze Naco Innova dhe këshillave nga ana e USAID.
Derisa funskionimi i ANP-së si ndërmarrje publike është evident, Qeveria e Kosovës aspiron të siguroj infrastrukturë dhe instalime moderne, profit më të lartë duke ofruar shërbime më kualitative, si dhe të siguroj se ANP arrin potencialin ekonomik dhe operacional, duke qene konkurrues me aeroportet tjera në rajon.
Njësi implementuese e këtij projekti, në rolin e sekretariatit teknik të KDN-së, është njësia qendrore për PPP e njohur si Partneritetet Kosova.