Përfundoi afati i dorëzimit të Kërkesës për Kualifikim për Partneritetin Publiko Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
16 Tetor, Prishtinë
Përfundoi afati i dorëzimit të Kërkesës për Kualifikim për Partneritetin Publiko Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Kredencialet e tyre u dorezuan nga katër kompani. Ato janë:
FRAPORT - IC , BOUYGUES EGIS Prishtina Airport International Consortium, LIMAC AIRPORTS DE LYON , dhe RIVIERA - LR Groups Israel.
Kërkesa për Kualifikim paraqet hapin e parë të procesit dyfazësh të prokurimit duke u bazuar në nenet 22 deri 26 të ligjit mbi PPP dhe Koncesione nr. 03/L-090. Te gjithë ofertuesit potencialë që do të kualifikohen në përputhje me kërkesat minimale të caktuara në Kërkesën për Kualifikim (KPK), do të ftohen që t'i dorëzojnë propozimet për Projektin.
Sipas orarit të përcaktuar nga ana e Komisionit Drejtues Ndërministror (KDN) të Projektit, draft dokumentet e tranzaksionit do të jenë ne dispozicion për ofertuesit e kualifikuar në nëntor, ndërsa afati i Kërkesës për Propozim do të jetë dhjetori i këtij viti.
Partneriteti Publiko Privat në ANP parashihet të jetë një marrëveshje 20 vjeçare e formës Dizajnim Ndërtim Financim Operim Transfer, dhe do të përfshinë ndërtimin e një ndërtese të terminalit të ri, tri herë më i madh sesa ekzistuesi, 25000 metra katrorë. Terminali i ri do të jetë simbol i së ardhmes së Kosovës dhe do ti bëjë krenarë qytetarët e Kosovës. Investime të tjera të kërkuara përfshijnë ndërtimin e një kulle të re të trafikut ajror dhe pajisjeve përcjellëse, platformë të re parkingu aeroplanësh që do të ofronte edhe 9 pozicione shtesë, uzinë për përpunimin e ujit, etj.
Për dallim nga privatizimi, me anë të koncesionit, asetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të mbesin pronë e Kosovës. Investimi nga ana e sektorit privat do të mundësojë që qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga ky zhvillim pa e shpenzuar buxhetin e Kosovës.